(Skenderbeu.info) Dubai do të ndërtojë xhaminë e parë në botë të printuar 3D.
Emirati i Dubait planifikon të ndërtojë xhaminë e parë në botë të printuar në 3D, e cila do të jetë gati në fillim të vitit 2025.
Departamenti i Çështjeve Islame dhe Aktiviteteve Bamirëse në Dubai (IACAD) njoftoi se ndërtimi i xhamisë 2000 metra katror në Bur Dubai do të fillojë në tetor.
Pasi të përfundojë, xhamia do të mund të strehojë 600 besimtarë.
Bur Dubai është një nga lagjet më të vjetra në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Drejtori i departamentit të inxhinierisë IACAD, Ali Al-Suwaidi, tha në një konferencë për shtyp se “kostoja është 30 për qind më e lartë se ndërtimi normal i xhamisë, sepse është e para e këtij lloji në botë”.
“Ne besojmë se kostoja do të jetë e ngjashme në të ardhmen me një garanci ndërtimi 30-vjeçare,” shtoi ai.
Printimi 3D i ndërtesës do të zgjasë rreth katër muaj dhe 12 muaj të tjerë do të nevojiten për paraqitjen e plotë të objekteve të xhamisë, tha IACAD.

Tre punonjës do të përdorin printerin robotik 3D, i cili do të printojë dy metra katrorë në orë.
Ky projekt është hapi i fundit në strategjinë e printimit 3D të Dubait, i nisur në vitin 2016 nga Sheikh Mohammed bin Rashid Al-Maktoum. Kjo nismë synon ta pozicionojë Dubain në krye të teknologjisë së printimit 3D deri në vitin 2030.
Në vitin 2015, u zbuluan gjithashtu planet për të ndërtuar zyrën e parë të printuar 3D në botë, e cila u hap vitin e ardhshëm. Në vitin 2019, një kompani amerikane ndërtoi ndërtesën më të madhe të printuar 3D në botë – Qendrën e Bashkisë së Dubait për Inovacionin.
Hamad Al-Shaibani, shefi ekzekutiv i IACAD, tha se Dubai është tashmë një pionier në përdorimin e teknologjisë së printimit 3D dhe qëndrueshmërisë.
“Përdorimi i printimit 3D do të reduktojë mbetjet e materialeve të ndërtimit. Është miqësore me mjedisin. Xhamia përfaqëson vizionin e sundimtarëve tanë të mençur,” tha ai.