(Skenderbeu.info)-Ulen çmimet e “roaming”-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Europian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dyja drejtimet, ka njoftuar Komisioni Europian.
Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.
Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar, në Tiranë.
Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.
“Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të “roaming”-ut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.