(Skenderbeu.info)-Turqi/ Gazetarët kritikë përballen me gjoba dhe arrestime
Organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Turqi po paralajmërojnë se media e pavarur turke përballet me gjoba dhe arrestime pas raportimeve kritike mbi reagimin e autoriteteve pas tërmeteve të muajit shkurt. Shumë ekspertë dhe gazetarë thonë se situata do të përkeqësohet ndërsa në vend do të zhvillohen në muajin maj zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në Turqi, mediat lokale si “Jin News” ishin në ballë të raportimit për tërmetet vdekjeprurëse të muajit shkurt. Por raportimet e gazetarëve që kritikonin reagimin e ngadaltë të qeverisë dhe shërbimeve të urgjencës tërhoqën vëmendjen e autoriteteve.
“Policia na mori kartat e gazetarit, që na identifikojnë. Dhe më pas na çuan në rajonin e policisë. Na mbajtën atje për 3 deri në 4 orë dhe na pyetën: ‘Pse keni ardhur në zonën e tërmetit?’”, tregon gazetarja Sema Caglar.
Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e mediave disa gazetarë u arrestuan në zonat e tërmetit dhe pajisjet e tyre të punës u konfiskuan ose u shkatërruan. Qeveria këmbëngul se nuk ka asnjë politikë kundër medias, duke pretenduar se çdo abuzim është kryer nga oficerët, që punojnë në një situatë të vështirë.
Por stacionet televizive të pavarura si Halk TV, të cilat kanë qenë kritike për mënyrën e reagimit të qeverisë pas tërmetit, u vunë gjithashtu në shënjestër me gjoba të rënda dhe ndalime të përkohshme të transmetimit për “nxitje të urrejtjes publike”.
“Në Turqi, më shumë se 90% e medias është nën kontrollin e qeverisë. Pra, e dinim që gjobat do të vinin sepse po përcillnim zërin e popullit dhe zërin e të mbijetuarve nga tërmeti”, thotë Bengü ?ap Babaeker, drejtore e “Halk News”.