(Skenderbeu.info)-Tregu i punës për të rinjtë/ Nënshkruhet marrëveshje me Zvicrën
Formalizohet bashkëpunimi midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ambasadës së Zvicrës për zbatimin e projektit për tregun e punës për të rinjtë – RisiAlbania.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj së bashku me Ambasadoren zvicerane Ruth Huber nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e fazës së tretë të projektit RisiAlbania – për një treg pune funksional për rininë.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se në fokus të politikave tona janë projektet dhe programet që synojnë të sjellin rritjen e punësimit, qoftë ato me financim të drejtpërdrejtë, qoftë ato që synojnë të nxisin proceset njohëse, veçanërisht të digjitalizimit.
“Politikat buxhetore që po ndërmarrim synojnë edhe nxitjen e sektorëve, si turizmi, bujqësia përmes zhvillimit të zinxhirit të vlerës në bimët medicinale, frutat dhe perimet, që i japin mundësi bizneseve të aksesojnë tregje me vlerë të lartë, të rrisin të ardhurat në vend dhe të krijojnë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë”, tha Ministrja.
“Është me rëndësi të madhe pajisja e të rejave dhe të rinjve me këshillimin e duhur për karrierën dhe me aftësi të cilat vlejnë në treg. Është po me kaq rëndësi edhe aftësimi i bizneseve për të ofruar punë më të mira dhe më të shumta. Ky është objektivi i projekt-marrëveshjes që nënshkruajmë sot”, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.