(Skenderbeu.info)-Pedagogët ne protestë, të mërkurën në grevë urie
Pedagogët kanë paralajmëruar grevë teksa protestojnë sërish sot për të kërkuar të drejtat e tyre.
Kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se qeveria ka dhe dy ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, ndryshe të mërkurën hyjnë në grevë urie.
“Lëvizja jonë universitare, lëvizje e pastër intelektuale e shpirtit të lirë. Nuk është e sponsorizuar as nga rublat ruse, lirat turke apo paratë e pista të oligarkisë shqiptare.
Në këtë betejë e kemi filluar prej tre vitesh, por të specifikuar prej dy muajsh këtë peticion shoqëruar me 6 javë protesta. Deri tani qeveria ka treguar që s’ka vesh për të dëgjuar kërkesat tona. Ajo ofron vetëm zgjidhje kozmetike dhe ato në trajtë printimesh dhe ofron intimidime që të heqim dorë.
Në këto kushte pas një diskutimi me stafet është propozuar të kalohet protestë në trajtën e grevës së urisë. Dhe në këtë fazë mund të bëjë efekt. I kërkojmë një po të madhe në këtë akt. Deri të mërkurën i lëmë kohë për zgjidhjen e kërkesave tona. Të mërkurën në orën 16:00 të jemi këtu përpara universitetit politeknik për grevë”, deklaroi Kovaçi.
Sot protestës para Universitetit Politeknik të Tiranës i janë bashkuar dhe dy deputetët e opozitës Dashamir Shehi dhe Bujar Leskaj.