(Skenderbeu.info) Si foto e zverdhur. S’mund të gjykoj vlerat që ke, a larg qoftë, të të mësoj kush duhet të jesh. Por mund të të dua ashtu siç je dhe të mbetem përjetë miku yt.
Kjo qasje e Borgesit m’u kujtua sot, ndërsa po shfletoja një album me fotografi të zverdhura.
Dhe vrisja mendjen: pse i bëjmë aq shumë moral tjetrit, pse aq shpesh synojmë t’i imponojmë ç’të bëjë, si të sillet e, ca më keq, ç’bindje e ç’shije të ketë?
E bëjmë se duam ta korrigjojmë e përmirësojmë, apo se dhënia e këshillave na përkëdhel egon e na krijon iluzionin se jemi më lart, më të zotë e më të virtytshëm?
E bëjmë se duam të perfeksionojmë të afërmin, apo nga që na tremb e ndryshmja, TJETRI, ajo që i ikën uniformitetit e mediokritetit? Dhe zbeh sigurinë që na injekton imazhi i grupit solid, i klanit monolit apo i fisit grushtbashkuar.
Sido që të jetë, nëse kritikat e moralizimet i zenë frymën dashurisë dhe vlerësimit, mos u çudit kur herët a vonë marrëdhënia të të fluturojë duarsh dhe të bëhet si foto e zverdhur, mbetur zgëqeve.