(Skenderbeu.info) – “Shpëtimi nga shterimi” Detyrimisht duhet të mësojmë nga përvoja e të tjerëve, derisa ta rimarrim e rishpikim veten, që të bëhemi prap zotër të Ilirikumit tonë si dikur. Prandaj duhet të përvetësojmë përkohësisht shembullin e mbarë nga populli hebraik mesdhetar, poashtu vegjëlitar e i lashtë, por i tejfuqishëm dhe i ngjashëm me ne për vuajtjet e pësuara nga shkelja e pamëshirshme e thundrave të rënda të katër pushtuesve e perandorive të huaja. Por falë Perëndisë prapë mbijetuam me guxim plagësh të qëndrestarëve dhe jo qaramanëve.
Ata shpikën fenë dhe ne shpikëm të folmen, shqipen e shenjtë si tapinë tonë historike që prin pararendësisht. Ata kanë Moisiun mbrojtës si prijës legjendar, ndërsa ne kemi shpatarin shpëtimtar Skenderbeun. Ata i dhanë botës më shumë nobelistë, ndërsa ne i dhamë më shumë prijës perandorakë nga të dy krahët e Perandorisë romake, po ashtu Perandorisë otomane por edhe me sundimtarë të mëvetësishëm, si mëkëmbësi ynë Memedaliu i Egjiptit. Atje ku thuhet se kishte vajtur Moisiu, ai ngriti dinastinë e tij rreth 150 vjeçare. Sundimtar si Leka e Çezari apo Saladini, edhe atë pa ushtri të superfuqishme, por me pesëmijë shqiptarë çliroi Misirin nga mamlukët, Sirinë e Sudanin dhe Hexhazin profetik.
Mjerisht ata i kërcënuan me shfarosje të plotë derisa i thirrën mendjes për bashkësi. Së fundmi e zbuluan lumturinë kur u bashkuan, madje u bënë superfuqi, ndërsa ne ende vuajmë nga vetjakësia e verbër. Na shpëtoi Perëndimi edhe kësaj radhe nga fqinjtë finokë, por deri kur do të aftësohemi edhe ne ta shpëtojmë veten para se të na shkrijnë e shpronësojnë apo të shterim vetë?
Mirëpo mbijetimi i rinive tona thellon shqetësimin. Në saje të gjakprejardhjes së përsëritur është në rënie e sipër (“kriza e kontinuitetit” ose anglisht: “continuity crisis”) ngase lindim e largojmë, pjellim e përcjellim, derisa edhe vetë të shterim.
Ndërsa sot u hap bota Perëndimore dhe importon e rekruton të rinjtë me shtetësi prestigjioze të cilët pafajësisht ikin atje ku ka infrastrukturë e mundësi, jo se është dërmuesisht më mirë, madje me të drejtë nuk durojnë t’i mbajë peng askush me gurin e rëndë të krenarisë kombëtare, qoftë dogmat fetare apo ideologjitë partiake, ose disa nga traditat vendore mesjetare, nëse nuk e meritojnë vëmendjen e tyre, sepse guraleci që lëviz vërtetë çahet, por nuk zë myk.
Zgjidhje ka kur vepron vullneti i mirë i udhëheqësve largpamës ardhmëritar ëose futurologë. Nga kjo këndpamje, atdhedashësit hebraikë, të pasur e kudopërhapur, ofruan miliona dollarë për të joshur të rinjtë e lindur jashtë atdheut tyre, me gjakprejardhje kombëtare, nga mosha 18 deri 26 vjeçare për vajtje falas në atdheun e tyre historik dhe qëndrim të lirë 10-ditor, por poashtu pa kushtëzime fetare e bishta nga prapa dhe deri më sot thuhet se kanë vajtur rreth 750 mijë të rinj e të reja në atdheun e gjakprejardhjes tyre.
Nga këto lidhje të lira të rinisë së tyre lindën edhe shumë bekime të tjera anësore, ngase ekonomia e “shtetucit të superfuqishëm” shënoi rritje prej 1.5 miliardë dollarë që ndoshta mbulon dhjetëfish shpenzimet e sponsorëve bashkëkombëtarë, por njëkohësisht në mënyrë të natyrshme dhe pa ndërhyrjen e zakonshme të prindërve të shqetësuar për ardhmërinë e tyre, sepse mandej shumë të rinj lidhën edhe kurora martesore si pasojë e njohjes tyre në vendlindjen e të parëve, ashtu siç ndodh me rininë shqiptare që u kërkon lidhje moshatare në Zvicër e Gjermani ose gjetkë.
Rrjedhimisht, cilat janë mësimet për ne?
Fatmirësisht as ne nuk na mungoi frymëzimi, por si gjithmonë derisa ne shqiptarët jemi themeltarë e nismëtarë të hatashëm gjithsesi na mungon përvoja e qëndrueshmërisë afatgjatë, prandaj ose harrojmë kulmin e pangritur ose nuk e mirëmbajmë atë dhe shembet vazhdimësia.
Shoqatat shqiptare i kishin parashikuar këto strategji, por mjerisht barra e sponsorimit binte vetëm mbi shpatullat e prindërve dhe nuk u trimëruan sa për një provë njëvjeçare. Diaspora atë kuptim ka, fara e ndarë, e cila nuk duhet të shfrytëzohet vetëm për të mirën e shtetit amë, por edhe të mirën e “mjergimtarëve”, të cilët si Skenderbeu e dinë se nuk ka rrjet sigurie më të mirë se atdheu, sado i varfër të jetë, sepse kohëpaskohshëm, varësisht nga disponimi politik, atyre u kërcënohet fshesa e mikpritjes si në Gjermani e Greqi.
Shoqatat shqiptare nuk duhet të heqin dorë nga kjo nisiativë bujare dhe traditë e re, por në bashkëpunim me ambasadat përkatëse të punojnë që të zyrtarizohet. Fillimisht, prindërit le t’i heqin shpenzimet e fëmijëve tyre, derisa të paraqiten edhe sponsorët vullnetarë për udhëtim dyjavësh në atdheun shqiptar, duke hartuar marrëveshje shpërgjegjësimi (që përgjegjësia mos i ngelë askujt nësë prishet rendi nga dikush, anglisht: “disclaimer”) sepse janë të moshës madhore dhe pastaj të lëvizin të lirë dhe larg politikës ditore, me itinerar jo më shumë se pesëpikësh, duke nisur nga fluturimi për në Tiranë ose Prishtinë. Pastaj udhëtim i përbashkët nëpër disa qendra kryesore shqiptare si Kruja, Shkupi e Ulqini.
Sipas burimit të tematikës përkatëse, këtë traditë hebraike e ka nisur edhe MeV-i (Maqedonia e Veriut), Hungaria e Armenia, madje që në kohën time studentore, sepse kisha kolegë maqedonë nga Australia e largët ose të tjerë si Vlado, që habit, se kishte ardhur nga Kanadaja të studionte anglisht në Shkup, por edhe natyrisht e pa ndërhyrje, të njihej me ndonjë gocë vendase, nënkuptohet se nëse i buzëqeshi fati, por assesi me imponim!
(Is Birthright Israel Too Good To Be True? | Unpacked – YouTube)
https://www.youtube.com/watch?v=E6kraqnOrj8
Ngase hebraikët kanë vuajtur shumë si edhe ne, ata e përcjellin rrëfimin e tyre biblikisht, ndërsa ne me Besën bujare dhe trimërinë e pashoqe të Skenderbeut, mikpritjen dhe ndihmesën e shenjtores dhe Nobelistes sonë Nënës Terezë ose dijedashjen me Nobelistin doktor Feridin.
Ata nga përvoja mijëravjeçare kanë qëndisur shumë fjalë të urta ose shprehje të lira si për shembull, “O Zot i Mëshirshëm, kësaj radhe zgjidh ndonjë popull tjetër”, apo të jashtëzakonshme “O Zot, nëse nuk e shoh Jerusalemin tokësor kurrë mos e pafsha Jerusalemin qiellor”, ndoshta nga fajësia e braktisjes së atdheut në gjendje mjerimi.
Burim Bardhari