(Skenderbeu.info)-SHIFRAT/ Ulet numri i nxënësve dhe studentëve në shkolla
Ulet numri i nxënësve në arsimin bazë, parauniversitar dhe ai i studentëve në universitete. Në raportin e fundit të INSTAT theksohet se ka një ulje prej 4.4% të regjistrimit të nxënësve dhe studentëve në shkolla për vitin shkollor 2022-2023 në krahasim me një vit më parë.
Në vitin e fundit shkollor, u regjistruan në arsimin parauniversitar 432.870 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,7 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-’22.
Ndërkohë ulje është shënuar edhe në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti marrin pjesë aktualisht 69.750 fëmijë, 3,6 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 267.275 nxënës, 55% në arsimin fillor dhe 45% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Këto shifra shënojnë një ulje preh 3,9% krahasur me një vit më parë.
Në vitin akademik 2022-’23, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 121.352 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,0%, krahasuar me vitin e kaluar.
Në këtë vit akademik, ashtu si edhe vitin e kaluar, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit të studentëve.