(Skenderbeu.info)-Rritet numri i turistëve që e vizituan Maqedoninë e Veriut
Rezultatet e regjistruara nga Enti Shtetëror i Statistikave kanë treguar se në periudhën janar-nëntor 2022 ka pasur një rritje të numrit të turistëve që e kanë vizituar shtetin. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 shifrat tregojnë se në 2022-shin numri i turistëve është rritur për 38.8%, nga të cilët 6.2% janë turistë vendas, ndërsa 84.5% turistë të huaj që janë kthyer në vend.
“Në nëntor 2022 janë regjistruar 56.886 turistë prej të cilëve 36.2% janë turistë vendas dhe 63.8% turistë të huaj. Shifrat tregojnë gjithashtu se në nëntor 2022 në Maqedoninë e Veriut natën e kanë kaluar 124.969 turistë, prej të cilëve 40.6% kanë qenë turistë vendas ndërsa 59.4% turistë të huaj”, thuhet në njoftimin e ESHS-së.
Naum Marinovski ish-profesor në Fakultetin e Turizmit dhe Hotelierisë ka thënë për media se shifrat e turistëve që e kanë vizituar vendin tonë janë vërtet pozitive.
“Rritje është pritur, por ajo që nuk besoj është se pritej që rritja të ishte kaq e madhe. Besoj se kontribut për rritjen e shifrave kanë edhe vizitat nga vendet që deri më tani nuk janë parë në numër kaq të konsiderueshëm. Përveç vizitorëve të rregullt dhe mysafirëve nga vendet fqinje ku edhe ka rritje, shifrat janë rritur edhe nga turistët e vendeve që deri tani nuk kanë qenë edhe aq të theksuara. Edhe pse kjo rritje e konsiderueshme nuk vjen veçanërisht nga një vend por nga disa vende, gjithë kjo kontribuon në rritjen e numrit të përgjithshëm të mysafirëve”, theksoi Marinovski.
“Ka formula të qarta të cilat kontribuojnë në rritjen e numrit të vizitorëve mes të cilave është edhe stimulimi për zhvillimin e industrisë së hotelerisë, mbështetja për agjencitë turistike, si dhe për gjithë aktorët në sektorin e turizmit. Pjesë e tyre sigurisht që është edhe mbështetja e transportit ajror i cili në ditët e sotshme është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, dhe thjesht të gjitha format e mbështetjes. Duhet që përparimi të shihet në inovacionin i cili kontribuon në zhvillimin e industrisë së turizmit”, u shpreh ai.