(Skenderbeu.info)-Qeveria merr vendimin/ 5 shtete mund të hyjnë pa viza në Shqipëri
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është marrë një vendim që lehtëson hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë.
Ky vendim lejon hyrjen territorin tonë pa viza të shtetasve që vijnë nga Arabia Saudite, Bahrein, Katar, Oman dhe Tailandë.
Këta shtetas mund të hyjnë pa vizë turistike në territorin e Republikës së Shqipërisë, por vetëm me pasaportë nga periudha 20 prill deri më 31 dhjetor 2023.
Vendimi i plotë:
Vendim për një ndryshim në vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Pika 3, e aneksit nr.3, që i bashkëlidhet vendimit nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Lista e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 20 prill deri më 31 dhjetor 2023.”.
Nr. Shteti
1 Arabi Saudite
2 Bahrein
3 Katar
4 Oman
5 Tailandë
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.