(Skenderbeu.info)-PD e Alibeajt denoncon qeverinë/ Po përdor policinë për të kërcënuar qytetarët
Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka denoncuare këtë pasdite ndërhyrjen e qeverisë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Në një deklaratë për shtyp, shefja e komunikimit të fushatës për Tiranën në PD-në e Alibeajt, mirela Karabina, tha se Rama po përdor Policinë e Shtetit si mashë për të shantazhuar mbështetësit e së djsthtës.
“Edhe në këto zgjedhje, si në çdo garë elektorale, ashtu sikurse tashmë e ka kthyer në një praktikë normale nga paranoja për humbjen e pushtetit, Edi Rama ka vënë në jetë instrumentet për të ndikuar në mënyrë te paligjshme në deformimin e zgjedhjeve të së dielës. Pasi ka shantazhuar e përdorur administratën shtetërore, pasi ka angazhuar grupet kriminale, pasi ka nxjerrë nga jugu në veri zyrtarët e tij të korruptuar me çantat e mbushura me para të korrupsionit, Edi Rama po mundohet të përdorë çdo instrument për të frikësuar opozitën. Kur na ndajnë vetëm tri ditë nga zgjedhjet e 14 Majit, Edi Rama po përdor edhe Policinë e Shtetit si mashë kundër Partisë Demokratike. Kemi të dhëna thuajse në të gjitha bashkitë për përfshirje kriminale të policisë, duke shantazhuar mbështetës të Partisë Demokratike apo përdorim të skemave mafioze për të bërë pis procesin”, u shpreh ajo.
PD e Alibeajt dënoi çdo akt apo instrument që përdoret me qëllim kërcënimin e votuesve dhe deformimin e zgjedhjeve të 14 Majit.
Karabina i bëri thirrje Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku “të tërhiqen nga aktet e turpshme të përdorimit të policisë kundër opozitës”.
“U bëjmë thirrje çdo personi që përfshihet në skemën e Edi Ramës së manipulimit të zgjedhjeve se këto veprime përbëjnë vepër penale dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Partia Demokratike e Shqipërisë i bën thirrje organeve të drejtësisë të jenë të vëmendshme ndaj këtyre akteve dhe të marrin masat e nevojshme për parandalimin dhe dënimin e veprimeve që cënojnë votën e lirë, që cënojnë garën demokratike elektorale.
Manipulimi i votës, deformimi i vullnetit politik të qytetarëve shqiptar është sëmundja më e madhe e demokracisë shqiptare në 33 vite pluralizëm. Është e turpshme për Shqipërinë që në vitin 2023, vënd anëtar i NATOS, vënd i cili kerkon të integrohet në Bashkimin Europian, vuan akoma manipulimin e zgjedhjeve dhe deformimin e vullnetit politik të popullit shqiptar.
Ftojmë selitë diplomatike në vendin tonë dhe OSBE-ODHIR, të monitorojnë me vëmendje situatën, duke pasqyruar çdo episod. I bëjmë thirrje që të shtojnë numrin e vëshguesve të tyre, pasi nga të gjitha të dhënat situata është alarmante”, theksoi më tej Karabina.