(Skenderbeu.info)-Mister mbi të zhdukurin në Mbrostar! Rinisin sërish kërkimet për 26-vjeçarin
Zhdukja pa gjurmë e të riut në urën e Mbrostarit në Fier, i cili po kthehej nga Gjermania për në familjen e tij, është mbuluar me një mister të frikshëm.
Palombarët e RENEA-s e kaluan edhe ditën e djeshme në ujërat e Semanit me shpresën se do të gjenin një shenjë të mjetit që dyshohet se ka rënë në lumë, por sërish e mbyllën ditë pa asnjë rezultat.
Ndërkohë më në fund në lojë kanë hyrë edhe policia dhe prokuroria, për të nisur hetime konkrete në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërkohë që RENEA dhe kërkuesit e lumit janë kthyer në banesa për të rifilluar sërish ditën e sotme sapo të zbardhë dita. Por ajo që e ndërlikon edhe më tepër kërkimin për të riun, të zhdukur pa gjurmë tashmë që prej mëngjesit të së dielës, janë shirat që do të bien përgjatë gjithë natës dhe frikës që Semani mund të bëhet i papërballueshëm për kërkimet e palombarëve dhe të të gjithë banorëve të zonës të cilët iu kanë bashkuar familjes Lika dhe policisë për t’i ndihmuar, kryesisht me njohuritë që ata kanë për rrjedhën e lumit.