(Skenderbeu.info)-Mediu, thirrje qytetarëve: Të fillojmë të ndryshojmë Shqipërinë
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka mbështetur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kukësin, Admir Sinamati.
Gjatë fjalës së tij, Mediu e vuri theksin duke iu drejtuar qytetarëve se qeveria po e kthen shoqërinë në skllavëri, pasi njerëzit përballë varfërisë po ulin kokën, ndërsa të tjerë kanë frikë të humbin vendin e punës.
Mediu u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të shkelmojnë të keqen dhe që të gjithë së bashku të tregojmë se jemi njerëz me dinjitet, që respektojmë nderin dhe familjen.
“Armiku më i madh i lirisë është skllavi i lumtur.
Këtë po përpiqen të ndërtojnë një shoqëri, e cila bëhet skllave e interesave të qeverisë. Një pjesë e njerëzve përballë varfërisë ulin kokën, sepse duhet të mendojnë për atë që kanë nevojë jetike, një pjesë tjetër kanë frikë se humbasin punën, një pjesë tjetër futen në atë kalvarin e korrupsionit të kësaj qeverie. Por a duhet ta pranojmë ne këtë realitet, që jeta jonë të kontrollohet prej tyre.
Pra, ne duhet t’i japim dhe t’u kthejmë pushtetin njerëzve të punës, njerëzve, të cilët duan vërtetë të punojnë me zemër për gjithësecilin, për Kukësin dhe për mbarë Shqipërinë.
Le të çohemi ne të gjithë së bashku, ta sulmojmë dhe ta shkelmojmë të keqen, të mos pajtohemi me të keqen, të përpiqemi të gjithë së bashku të tregojmë që jemi njerëz me dinjitet, që respektojmë nderin dhe familjen, njerëz që e duam dhe e respektojmë njëri-tjetrin, njerëz që besojmë në Zot për liritë dhe të drejtat tona dhe mundësinë për të ndërtuar lumturinë.
Le të bashkohemi ne me njëri-tjetrin për të bërë atë që është më e mira.
Mos u ndalni përballë së keqes. Luftoni me çdo mënyrë, sepse nëse do të kthejmë kokën në anën tjetër, e keqja do të bëhet dominante dhe e pakthyeshme në Shqipëri.
Prandaj ju ftoj që më 14 maj, jo vetëm ne, por çdo njeri në qytetin e Kukësit, dhe ata që janë në emigracion, të vijnë dhe të votojnë për Admir Sinamatin, të fillojmë të ndryshojmë Shqipërinë në drejtimin që duam”, ka deklaruar Mediu.