(Skenderbeu.info)-Kaos në Kuvend/ Berisha përjashtohet nga seanca
Sali Berisha përjashtohet nga seanca e Kuvendit pas debateve të forta dhe bllokimit të foltores, teksa deputetët e PD protestojnë duke i rënë tavolinave dhe duke mos lejuar socialistët të flasin. Kaos e zhurmë, deputetë e ministra që flasin njëherësh, situatë e pazakontë.
Seanca plenare ka nisur në orën 11:00, teksa deputetët e PD me në krye Sali Berishën i janë drejtuar foltores së Kuvendit. Kryetarja e parlamentit i ka tërhequr vëmendjen, por Berisha i rrethuar nga deputetët e PD ka bllokuar foltoren.
Rreth tij është mbledhur dhe garda. Ditën e sotme, 16 deputetë të PD-së, mes tyre Berisha i kërkuan Kuvendit të ndryshonte rendin e ditës për të futur si çështje të parë çështjen “McGonigal” dhe mbledhjen e konferencës së kryetarëve në orën 11:00, por kjo kërkesë nuk u pranua. Kjo gjë ka sjellë dhe acarimin e deputetëve të PD-së.
Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se oligarku rus Deripaska i ka tentakulat e tij në të gjithë sektorët e konomisë shqiptare. Ai akuzoi Damian Gjiknurin si zëdhënës të interesave ruse në Shqipëri.
“Nuk mund të ketë sot debat tjetër përveç këtij debati. Shqiptarët duhet të marrin vesh të vërtetën. Edi Rama të vijë këtu të japë dorëheqjen dhe të shkojë të dëshmojë në SHBA.Çfarë doni më shumë se kaq? A e dini kush ishte McGonigal, funksioni i tij, që i çuat ju paratë e kompanive të oligarkut rus. E dini ju se Deripaska i ka tentakulat e tij në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare.
A e dini ju se Damiani juaj është zëdhënës kryesor i interesave ruse në Shqipëri”, tha Berisha.