(Skenderbeu.info)-Flet Levandovski:“Gavit i thashë që të më qëndronte sa më pranë”. Sulmuesi polak tregon “sekretet” e fitores ndaj Realit.
Pritshmëritë për Robert Levandovskin në Barcelonë ishin mjaft të mëdha që në momentin që ai vuri këmbët në “Camp Nou”.
Parë rendimentin e tij në Mynih te Bajerni, tifozët e Barcelonës me të drejtë shpresonin për të parë versionin e tij më të mirë edhe në Spanjë. Polaku nuk i ka zhgënjyer. Në 22 ndeshje të zhvilluara në këtë sezon me katalanasit ka gjetur 20 herë rrugën e rrjetës. Këtë e ka vërtetuar edhe në Superkupën e Spanjës ku ishte protagonist në gjysmëfinale dhe në finale. Kundër Betisit në gjysmëfinale, edhe pse nuk dukej në ditën e tij më të mirë, arriti të shënonte golin e 1-0. Po ashtu iu anulua dhe një gol që mund të kishte qenë rrjeta e 2- 1.
Ai bëri mjaft mirë detyrën edhe gjatë gjuajtjeve të penalltive, duke shënuar të parën dhe dhënë qetësi shokëve të ekipit. Në finalen kundër Realit, Leva ishte sërish protagonist. Ishte ai që dha pasimin e golit për Gavin, i cili i çeli rrugën fitores së katalanasve. Më pas, në pjesën e dytë shënoi dhe golin e 2-0. Si të ishte një orë, polaku ka shënuar 13 gola në 15 ndeshje në La Liga, 5 gola në 5 takime në Ligën e Kampioneve dhe 2 gola në 2 takime në Superkupën e Spanjës. Ndërkaq, ai ka komentuar edhe suksesin në Superkupën e Spanjës, që për të ishte i pari me fanellën e Barcelonës.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne. Ka qenë një titull i merituar për vetë mënyrën se si kemi luajtur. Tani duhet të vijojmë me këtë ritëm duke qenë të bashkuar si një familje. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një trofe, sepse kemi shumë cilësi në skuadër”, tha fillimisht ai. Më pas polaku tregoi dhe një sekret me Gavin. “Që para ndeshjes kam biseduar me Gavin. I kërkova atij të më qëndronte sa më pranë, pasi mund të bënim gjëra të rëndësishme”, tha Leva.
Polaku kishte të drejtë sepse nga kombinimi mes të dyve erdhën dy golat e parë të Barcelonës.