(Skenderbeu.info)-FIFA dënon drejtorin sportiv të Tottenhamit
Drejtorit sportiv të Tottenhamit, Fabio Paratici, i është ndaluar të merret profesionalisht me çështjet e futbollit në mbarë botën, që do të thotë se klubi anglez ka humbur një nga njerëzit kryesorë për çështjet sportive pas menaxherit Antonio Conte.
Italiani ishte i përfshirë në falsifikimin e financave të Juventusit gjatë pandemisë së koronavirusit, që është vetëm një pjesë e skandalit të madh në të cilin u gjend klubi torinez për shkak të mashtrimeve të shumta që u dëshmuan ndaj tyre dhe në fund, për shkak të të cilave atyre iu hoqën 15 pikë në Serie A.
Federata Italiane e Futbollit kishte vendosur më herët një dënim prej 30 muajsh për Paraticin, por kjo nuk e ka prekur shumë sepse ai ishte në Angli, por tani FIFA ka vendosur të mbështesë vendimin e italianëve dhe ta shtrijë atë dënim në të gjitha vendet në të cilat ka juridiksion.
Në këtë drejtim, duket qartë se Tottenham do të jetë pa një drejtor sportiv, pra njeriun që pritej t’i gjente një trajner të ri pas largimit të Conte nga klubi.
Edhe pse në përgjithësi duket se situata në Tottenham është kaotike, ata kanë ende një shans shumë solid për të arritur sërish në Champions League sezonin e ardhshëm dhe aktualisht janë në vendin e katërt të tabelës me 49 pikë të fituara.