(Skenderbeu.info)-Dialogu me Serbinë, Lajçak zbardh detaje nga takimi me Kurtin
Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun, zhvilloi mbrëmjen e djeshme një vizitë në Kosovë, në kuadër të intensifikimit të dialogut Kosovë-Serbi, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje. Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në një postim në Twitter shkroi se kanë biseduar për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen në dialog.
Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçak.