(Skenderbeu.info)-Antonio Konte mund të rikthehet te Interi
Humbja ndaj Specias në kampionat ka kthyer edhe një herë dyshimet rreth të ardhmes së Simone Inzagit te Interi. Trajneri i afruar për të mbajtur zikaltërit në majat e klasifikimit të Serisë A, ka dështuar në këtë mision të tijin dhe duket qartësisht se paraqitjet në Ligën e Kampioneve janë ato që mund të ndikojnë në fund të sezonit për vazhdimësinë apo jo të tij.
Sipas “Tuttosport”, ideja e largimit të teknikut nuk është më vetëm një hipotezë, por diçka reale, pasi drejtuesit e Interit kanë nisur kontaktet me Antonio Konten, të interesuar për kthimin e tij në ekip. Klubi zikaltër ka kontaktuar trajnerin duke parë se ai ka filluar të shprehë hapur dëshirën për t’u kthyer në Itali, ndaj po tenton të kuptojë nëse është i gatshëm për ta bërë realisht një gjë të tillë.
Me kthimin e Kontes, mund të hapen skenarë interesante edhe sa i përket të ardhmes së Romelu Lukaku. Sulmuesi belg ishte në maksimumin e tij nën drejtimin e trajnerit italian dhe do të ishte i gatshëm të punonte përsëri me atë që ngjiti zikaltërit pas shumë vitesh në majën e kampionatit italian.